Lançohet rrjeti i grave në politikë dhe vendimmarrje. Në ambientet e Hotel Tirana Internacional u zhvillua takimi, ku pjesëmarrëse kanë qenë gra nga i gjithë vendi, pjesë e rrjetit të krijuar vetëm pak kohë më parë i cili u promovua sot në mbështetje të vazhdueshme nga NDI.

Lançimin e këtij rrjeti e bëri koordinatorja e tij, Mirela Sula, ndërkohë që e kanë përshëndetur disa gra politikane, si Lajla Përnaksa, Diana Çuli e të tjera gra më pak të njohura, por pjesë prej 19 vitesh në parti të ndryshme politike. Gjithashtu, takimi u përshëndet edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane.

Gratë që përbëjnë rrjetin janë nga fusha të ndryshme të jetës, në funksione drejtuese ose jo, ndërkohë që rezultojnë prej vitesh pjesë e kaheve të ndryshme politike.

Ndërkohë që, në rrjet bëjnë pjesë edhe gra nga shoqëria civile dhe media. Qëllimi i takimit të djeshëm ka qenë edhe lançimi i një projekti të mbështetur nga Ambasada Amerikane, “Gratë dhe Politika”.

Me anë të këtij projekti synohet promovimi i kapaciteteve, vlerave dhe perspektivës së grave kandidate në zgjedhje kombëtare 2009, rritja e ndërgjegjësimit publik dhe advokimi mbi të drejtat e grave, identifikimi i nevojave të grave nëpërmjet medias dhe promovimi sa më i mirë i imazhit të gruas në media, si dhe rritja e ndërgjegjësimit publik mbi rëndësinë e grave dhe mbi rëndësinë e përfshirjes së tyre në politikë dhe në vendimmarrje./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani