Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ka qenë befasues lajmi i shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të maternitetit të njohur si i vjetër në Tiranë, Halim Kosova, i cili falë një menaxhimi të mirë i ndryshoi faqen, duke e bërë të ri në pajisje dhe shërbim. Zëvendësohet nga një tjetër mjeke gjinekologe Rubena Moisiu.

Halim Kosova njihet si mjek me përvojë dhe drejtor i suksesshëm, që thithi fonde nga donatorë, por dhe me të ardhurat e spitalit Obstetrikë rriti cilësinë e shërbimit. Urdhrin për lirimin nga ky post që e mbante prej vitesh e ka pritur qetë, me pretendimin se do të vazhdojë detyrën e tij humanitare.

Halim Kosova:- “Puna është që të kontribuojmë për këtë vend dhe mesazhi im për këtë rast, se nuk është një gjë e madhe se po iki unë, le ta zbusim klimën gjithandej, sidomos ne mjekët që jemi njerëz human, le të japin shembullin, që ikën një vjen një tjetër. Unë nuk kam lind drejtor, unë jam mjek”.

Komunikimi është bërë zyrtarisht nga Ministri i Shëndetësisë Xhani, i cili si motivacion shpreh punën e mirë të bërë prej tij, por dhe kontributin që kërkohet në fusha të tjera nga gjinekologu Kosova.

Mustafa Xhani:- “Zoti Kosova e ka kryer misionin e tij, ju e shikoni që ka arritje materniteti, zoti Kosova si çdo tjetër ka nevojë edhe për të dhënë në fushën akademike, në fushën shkencore, të lirohet dhe nga problemet e burokracisë, që nuk janë të lehta. Kjo nuk është kërkesa e tij, por në çdo institucion ka një afat që mbaron programin e tij, arritjet e tij, ka pastaj të tjerë që vijë dhe vazhdojnë stafetën”.

Në vend të tij drejtimi i këtij spitali i jepet Rubena Moisiut, vajzës së presidentit, e cila s’mendon se kjo lëvizje ka ardhur prej mbiemrit që mban.

Rubena Moisiu:- “Unë kam një background shumë më të madh akademik dhe mjekësor përpara background-it të mbiemrit, kështu që nuk e mendoj kështu”.

Janë shtuar zërat se shkak i këtij shkarkimi është sfondi politik, pasi emri i zotit Kosova është lakuar si kandidat i mundshëm i PD, për zgjedhjet lokale të Tetorit. Puna e mirë e bërë prej ish-drejtorit Kosova që nuk mohohet nga ministri, por dhe zëvendësuesja e tij Rubena Moisiu është shpërblyer me lirim nga detyra./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti