Lajme Arkiva 2003

Më shumë vëmendje për arsimin në buxhetin e shtetit për vitin 2004. Ka qenë kjo kërkesa e lëvizjes Mjaft dhe disa organizatave të tjera jo qeveritare për arsimin, prezantuar përpara komisionit të ekonomisë dhe financave. Sipas Stavri Llambiri përfaqësuesit të rrjetit të OJF-ve të arsimit, qeveria duhet të parashikojë shtesa në buxhet për arsimin parashkollor pasi ai është në gjendje të mjerueshme.

Stavri Llambiri: Gjatë këtij 10 vjeçari kontributi qeveritar për arsimin luhatët në shifrën 3% të prodhimit të përgjithshëm të GDP-së. Mesatarja botërore e këtij treguesi është 5%, vendet e Bashkimit evropian e kanë 5%, madje ata janë të shqetësuar që është pak. Ne mendojmë se arsimi ka nevojë për një reformim të thellë dhe ministria e arsimit është e vetëdijshme për këtë dhe po planifikon, po ka një parakusht themelor për suksesin e reformës, duhen shumë lekë.

Drejtori ekzekutiv i lëvizjes “Mjaft”, Erion Veliaj, prezantoi përpara anëtarëve të komisionit t ekonomisë një raport për gjendjen e arsimit shqiptar gjatë këtyre 13 viteve të fundit. Sipas këtij raporti Shqipëria renditet e 93-ta ne listën e vendeve të ndryshme të botës për përqindjen e GDP-së në arsim.

Erion veliaj: Shqipëria është në një situatë skandaloze, harxhon më pak për arsimin se shumë vende të Afrikës. Ajo që kërkojmë është thjesht që qeveria të mbajë premtimin. Në qoftë se ka premtuar në strategjitë kombëtare që do të shpenzojë një shumë të caktuar për arsimin, nuk mund ta ulë këtë shumë për interesa të të tjerëve.

Ylli Bufi, kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe financave vlerësoi vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga zotërinjtë Llambiri dhe Veliaj.

Ylli Bufi: Javën që vjen ne do të bëjmë një diskutim konkret për këto shqetësime qytetare që ju paraqitët sot. Edhe njëherë ju faleminderit./tvklan.al