Një 25 vjeçar në Lezhë është gjobitur e shoqëruar në polici, pasi me automjetin e tij u fut në breg të detit në Kune duke iu rrezikuar jetën pushuesve. Për rastin kanë qarkulluar edhe pamjet në media.

“U fut me automjet në breg të detit dhe qarkulloi mes pushuesve, duke iu rrezikuar jetën, Policia identifikoi drejtuesin dhe e ndëshkoi me masë administrative 60 000 lekë. Menjëherë pas publikimit në portalin “JOQ” të një video-je në të cilën shfaqet një shtetas duke lëvizur me automjet, përgjatë bregut të detit, në Kune-Vain, Policia Rrugore e Lezhës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore këtë shtetas.

Si rezultat, u identifikua dhe shoqërua në komisariat, së bashku me automjetin me të cilin shfaqet në video, shtetasi E. P., 25 vjeç, banues në Kurbin. Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, për shkelje të neneve 7/12, 99/11, 173/2/h dhe 196/1 të Kodit Rrugor”, thotë Policia./tvklan.al