Shefi i OSBE-së Osmo Lipponen lë Tiranën zyrtare pas debateve politike mbi qëndrimin e tij në lidhje me ligjin e pronave. Në fakt në konferencën e fundit për shtyp Lipponen sërish ka prekur këtë çështje delikate duke deklaruar se Presidenti i Republikës do ta kthejë në kuvend këtë ligj. I pyetur se mbi ç’informacione bazohej një deklaratë e tillë, ambasadori i OSBE-së iu referua medias. Megjithatë, sipas tij, pika më e rëndësishme e ligjit është që të mos ketë kontradikta. Lipponen iu referua paragrafit se ky ligj nuk ka efekt për ligjet paraardhëse e nga ana tjetër i janë kompetenca komitetit shtetëror për kthimin dhe kompensimin e pronave mbi ligjin 7501. Pavarsisht asistencës dhe kërkesës së bërë teksti përfundimtar i ligjit gjithsesi ende nuk ka mbërritur në OSBE dhe ambasadori është informuar përmes gazetës së Partisë Socialiste mbi ndryshimet e bëra.
Ambasadori Lipponen ka mohuar ekzistencën e një letre me kritika për të dërguar nga autoritetet shqiptare, megjithatë për presionet e bëra ai tha se nuk i kishte marrë në planin personal, nëse ato ishin për një çështje të drejtë “unë thjesht kam buzëqeshur”, tha lipponen. Lipponen shpjegoi se largimi i tij është në përputhje të plotë me sistemin diplomatik finlandez; lë një post për nëj tjetër më të mirë dhe në rrugën e tij drejt Shteteve të Bashkuara Lipponen shoqërohet nga bashkëshortja e tij amerikane. Shefi i OSBE-së tha se reforma zgjedhore ka pasur konsensus të gjerë, dy partitë e mëdha kanë më shumë seç duket vullnetin politik për ndryshimet në kodin zgjedhor, por duhet të firmosin marrëveshjen, përndryshe rrezikohet besimi për zgjedhjet e vitit 2005. /tvklan.al