Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lëvizja Socialiste për Integrim shtrin degët e saj në veri të Shqipërisë. Nga Kukësi në Tropojë, kryetari i Partisë së re Socialiste Ilir Meta ka deklaruar, se nuk mund të integrohet vendi pa u integruar më parë plotësisht shoqëria shqiptare. Tropoja ruan ende marrëdhënie të ashpra me liderët e dy forcave kryesore politike në vend. Ndërsa LSI regjistroi 350 anëtarët e parë në themelim.

Drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është ndalur tek problemet e mëdha që Tropoja ka vuajtur sidomos pas vitit 1997, kur është përfshirë në një zinxhir të gjatë vrasjesh të bujshme. Duke vuajtur në një pjesë të madhe edhe kusuret e politikës konfliktuale të Tiranës. Mesazhi i Metës ishte që Tropoja ka nevojë të shohë përpara, pasi duhen lënë pas ndarjet dhe konfliktet të këtyre viteve të tranzicionit, të cilat nuk i shërbejnë zhvillimit të vendit dhe kanë pasur një kosto të madhe për të gjithë.

Në veri, Ilir Meta ka thënë, se LSI është alternativa për ndryshim, për mirëqenie, për zhvillim dhe për integrim, për të ndryshuar këtë gjendje kritike dhe për t’i bërë Tropojanët apo kuksianët, qytetarë të një shoqërie të zhvilluar shqitare./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj