Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Zbulohet skandali në komisionin parlamentar të ligjeve. Projektligji për listat e zgjedhësve i prezantuar si drafti i OSBE-së dhe i mbështetur nga deputetët e mazhorancës, në fakt nuk ka qenë propozimi i ekspertëve të OSBE-së. Socialistët kanë firmosur një variant që kundërshton draftin e OSBE-së, për verifikimin, identifikimin dhe regjistrimin e shtetasve nga organet e qeverisjes vendore.

Për të kaluar këtë projektligj me bon sens, në komisionin e ligjeve nuk është mirëpritur media. Skandali u zbulua nga deputeti i LSI Spartak Braho. Ndërsa kryetari socialist Elmaz Sherifi, sqaroi se ngatërresa nuk ishte e qëllimshme, por kemi të bëjmë me një gabim të sekretares së komisionit.

Spartak Braho: “Pati një tentativë për t’a shitur sapunin për djathë, sepse gjatë dy ditëve ne kemi diskutuar gjoja një variant të OSBE-së, në fakt OSBE-ja sot pezulloi shqyrtimin, sepse varianti i saj origjinal, nuk përputhet me këtë që kemi diskutuar deri tashti. Ky ishte një mashtrim i radhës dhe që përball këtij fakti, kryetari i komisionit të ligjeve u detyrua të pezullojë shqyrtimin.”

Elmaz Sherifi: “Teknikisht, gabimisht, sekretarja në vend të vërë materialin e dytë të ekspertëve të OSBE-së, ka vënë materialin e parë të ekspertëve të OSBE-së. Çdo gjë që trajtohet si sajesë, si shtesë, si nismë e deputetëve është vetëm një dashakeqësi, për të përfituar kredibilitete që nuk merren në rrugët normale.”

Pavarësisht deklaratave në media, duket se socialistët nuk e kanë marrë shumë seriozisht çështjen e listave të zgjedhësve, përderisa kanë hedhur firmat mbi një projektligj, të cilit nuk i panë as faqen e parë dhe as të fundit./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj