Gjatë qëndrimit në New York, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko zhvilloi një takim me sipërmarrësin Richard Lukaj në Qendrën Rinore Shqiptare “Stamford”, e themeluar prej tij. Lukaj, i cili është edhe Konsull i Përgjithshëm në Connecticut dhe New York, ka dhënë një kontribut të shquar për kauzat shqiptare e për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe Ministri për Diasporën në Kosovë, Dardan Gashi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, Majko vlerësoi krijimin dhe mënyrën e funksionimit të qendrës në shërbim të komunitetit shqiptar, duke përgëzuar Lukaj për punën e tij. 

Ministri tha se Qendra Rinore ku zhvillohen aktivitete të ndryshme, e ku mësohet gjuha shqipe, histori dhe art, po kontribuon në edukimin e intelektualëve të ardhshëm që do të punësohen në administratat e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Identiteti i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara është ruajtur falë njerëzve si Lukaj’

, ishin fjalët e Ministrit. Majko shtoi se përgjegjësia e një shteti është e njëjtë, si për qytetarët brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

“Janë njerëzit që e bëjnë kombin dhe ju jeni të gjithë pjesë e tij”

, u shpreh Ministri.

Po në Qendrën ‘Stamford’, Majko u takua me përfaqësuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, të cilët gjithashtu i vlerësoi për kontributin në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Të pranishmit, mes të cilëve edhe kryetari i qendrës Adnan Mehmeti, i folën Ministrit për panairet e librave të organizuara në New York dhe aktivitetet e tjera që synojnë promovimin e krijimtarisë së anëtarëve të shoqatës. Majko sugjeroi organizimin e një aktiviteti të përvitshëm, i cili në qender do të ketë librin shqip. Richard Lukaj shprehu vullnetin për të ndihmuar me krijimin e një biblioteke për komunitetin shqiptar, që do të jetë një nga më të mëdhatë e këtij lloji.

/tvklan.al