Ekaterina Zaharieva tha sot se Bullgaria mund të vendosë veton për fillimin zyrtar të negociatave më 10 Nëntor, nëse Shkupi nuk reflekton dhe nuk zbaton menjëherë traktatin e miqësisë të dy vendeve të nënshkruar në 2017.

Si një mënyrë për të dalë nga kjo situatë, Sofja ka ofruar të mbështesë një fillim zyrtar të negociatave nëse relizohen disa kushte paraprake. Zaharieva thekson se pavarësisht shumë spekulimeve në mediat maqedonase, Bullgaria as nuk ka dashur ndryshime kushtetuese dhe as nuk ka vënë kushte të reja.

“Nëse Maqedonia Veriore bie dakord që identiteti dhe gjuha e saj kanë rrënjë bullgare, dhe i jep fund pretendimeve për një pakicë “maqedonase” në Bullgari,  ne jemi të gatshëm të njohim maqedonishten si një nga gjuhët zyrtare si dhe identitetin maqedonas. Bullgaria nuk e konteston të drejtën e Republikës së Maqedonisë Veriore për vetëvendosje, as të drejtën e tyre për ta emërtuar gjuhën e tyre siç dëshirojnë. Ne jemi gati të konfirmojmë realitetin aktual, por ata duhet të pranojnë të vërtetën historike”.

Të dy vendet kanë negociuar për dy javët e fundit në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre përpara samitit të BE në 10 Nëntor, por nuk kanë patur shumë sukses. 

Zoran Zaev shpreson që të dy vendet të gjenin një zgjidhje, por shtoi se identiteti dhe gjuha e vendit nuk merren parasysh. Qeveria e Borisov e konsideron fushatë anti-bullgare atë të nisur në mediat maqedonase që flet për mungesë vullneti për të gjetur marrëveshje për çështje të tilla si historia e përbashkët.

Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit i nënshkruar në Gusht 2017 parashikonte krijimin e një grupi të përbashkët shkencëtarësh për të zgjidhur çështjen e historisë së përbashkët. Sipas bullgarëve, Shkupi po zvarrit këmbët e saj dhe nuk është duke arritur asnjë përparim.

Nëse qeveria bullgare bllokon negociatat me Shkupin, burime diplomatike në Bruksel i kujtuan atyre se kështu po rrezikojnë të bëjnë të njëjtën gjë me Shqipërinë, duke pasur parasysh se qëndrimi zyrtar bullgar ishte se të dy shtetet duhet të lëvizin drejt BE-së paralelisht dhe në të njëjtën kohë.

Bullgarët u kujtojne jo pa xhelozi maqedonasve vendimin e tyre që të vendosnin shtesën “Severna” ose veriore përpara emrit të vendit, si lëshim ndaj Greqisë në mënyrë që të zgjidhnin mosmarrëveshjet.

Klan Plus