Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Me propozim të kryeministrit shqiptar 22 vjeçari Ervin Dervishi, efektiv i ushtrisë amerikane, do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Po ashtu nesër pritet që në brigadën e Zall-Herrit, ministria e Mbrojtjes të organizojë një ceremoni për nder të gjithë atyre ushtarëve që dhanë jetën në emër të paqes në Irak.

Ervin Dervishi emigroi në SHBA në vitin 1999, së bashku me familjen e tij me anë të Lotarisë Amerikane. Ai u lind në një familje punëtorësh në vitin 1981, dhe deri në ditën që së bashku me familjen emigruan në SHBA, jetuan në zonën e Tiranës së Re. Sot ai është Dëshmor i Atdheut. Të afërmit e ndjejnë mungesën e tij, por njëkohësisht anë edhe krenarë.

Familjari:- “Ka folur me të gjithë të afërmit. Qe si një parandjenjë e atij, nuk e di si ta them, ka komunikuar me të gjithë. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit që kur iku në Irak në Shkurt të vitit të kaluar. I ngelën edhe dy muaj që mbaronte shërbimin në Irak dhe do kthehej në Amerikë”.

Pas diplomimit në vitin 2002, Ervini hyri në radhët e ushtrisë amerikane në Tetor të po këtij viti. Ndërsa në kuadër të forcave të koalicionit ai kishte 9 muaj që kryente aktivitetin e tij me trupat ushtarake amerikane në Irak. Ervin Dervishi bënte pjesë në grupin e marinsave amerikanë, që në 14 Dhjetor zbuluan dhe rrethuan vendin, ku fshihej ish-diktatori irakian. Ishte data 24 Janar, kur autokolona me të cilin ai udhëtonte, u sulmua nga guerilasit irakian, duke i marrë jetën dëshmorit të parë shqiptar, i cili ra në favor të paqes botërore./tvklan.al