Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri për Koordinimin pranë kryeministrit Marko Bello, shprehet se largimi nga Partia Socialiste i deputetëve të saj, anëtarë tashmë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk përbën rrezik për mazhorancën parlamentare dhe qeverinë e saj.

Marko Bello: “Për sa kohë Partia Socialiste, qeveria e saj është qeveri e dalë nga një koalicion partish, pavarësisht se do të ketë një rrjedhje mesa duket të disa deputetëve nga PS, ne e kemi mazhorancën në parlament dhe unë gjykoj që kryeministri i ka të gjitha atutë politike, parlamentare, ligjore, për të ushtruar detyrën e vetë”.

Në mbrojtje të zëdhënësit të qeverisë Aldrin Dalipi, i cili u akuzua si militant politik, ministri Bello sulmoi zëdhënësin e LSI Petrit Vasili, pasi sipas tij, ai nuk ka të drejtën ligjore të jetë pjesë e një strukture politike.

Marko Bello: “Personi që ju përmendët dhe që përflitet si zëdhënësi i një lëvizje politike është nëpunës civil, aktualisht specialist, në drejtorinë e shëndetit parësor, si i tillë ai ka shkelur rëndë ligjin, mbi etikën ën administratën publike, që ndalon kategorikisht implikimin e nëpunësve civilë në deklarata publike për arsye politike, aq më pak përfshirjen e tyre në forca politike. Ndaj që ky pretendim i ngritur nga ky i ashtuquajtur zëdhënës është qesharak”.

Nëpërmjet ministrit Bello, kryeministri ka përshëndetur punën e ministrive të ndryshme, në luftën kundër korrupsionit./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini