Kryeministri Edi Rama ia përsëriti gazetarit italian të programit Report në Rai 3, atë që kishte thënë që pas emisionit të parë të bërë mbi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët: Mënyra si u trajtua kjo marrëveshje nga  ky emision është e neveritshme.

“Të lidhësh historinë tuaj italiane me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë, sekretarin e përgjithshëm, me personazhe të themi mjaft të errët të Shqipërisë, dukej se mesazhi bëhet midis një qeverie në Itali, që nuk e fshini, që nuk e vlerësoni dhe midis një qeverie në Shqipëri, që del si një partnere në hije, me personazhe të lidhura me trafikun, me këtë, e atë… Kjo ishte pak e shpifur. Jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj problemin sesi do të administrohet kjo marrëveshje, edhe vënia në dyshim idenë, por i gjithë ai mal gjysmë të vërtetash, që janë gënjeshtrat më të mëdha, është e neveritshme”.

I pyetur nga gazetari i Rai 3 sesi lindi ideja e qendrës së emigrantëve, Rama tha: “Ka qenë një kërkesë mjaft miqësore e Giorgia Melonit, nëse do të merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë. Dhe unë thashë pse jo, e mendojmë, më pas kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri. Patëm mundësi të diskutonim më gjatë çfarë mund të bëhej, dhe pastaj e bëmë.

Për kryeministrin Edi Rama, problemi i emigrantëve nuk është vetëm i Italisë, por i gjithë Europës.

“Gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë. Nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Ne jemi një vend që nuk jemi në BE, por jemi vend europian, dhe jemi në anën tjetër të detit me Italinë dhe ne thjeshtë kemi marrë përgjegjësinë e një vendi Europian. Fakti që Shqipëria nuk është në BE krijon gjithë këtë”./tvklan.al