Aktivistë të shoqërisë civile: Të miratohet regjistri kombëtar për krimet seksuale

Përfaqësues të organizatave që mbrojnë të drejtat e të miturve dhe qytetarë kanë marshuar këtë të premte kundër dhunës ndaj fëmijëve. Ata e nisën marshimin nga sheshi Skëndërbej duke u ndalur më tej te kryesia e Kuvendit.

Me pankarta në duar ata kanë kërkuar dënime më të ashpra për dhunuesit e fëmijëve si dhe një regjistër për krimet ndaj të miturve, pasi sipas tyre abuzimet ndaj tyre janë në rritje.

“Nga studimet që janë bërë, me shifra del që 1 në 10 fëmijë është i abuzuar seksualisht, kurse 1 në 5 fëmijë është i abuzuar, i dhunuar psikologjikisht, kurse 1 në 3 ëmijë është i dhunuar fizikisht. Kërkohet dhe trumbetohet me të madhe nga organizatat e shoqërisë civile miratimi i regjistrit kombëtar për personat që kanë kryer krime seksuale ndaj fëmijëve.  Prej vitit 2013 e deri sot, CRCA e ka kërkuar krijimin e këtij regjistri e nuk është marrë me seriozitetin që duhet. Për fat të mirë kjo nismë është ridepozituar nga ne pranë Kuvendit të Shqipërië dhe shpresojmë që të merret me seriozitet përballë të gjithë këtyre makabriteteve”, u shpreh aktivistja Linda Pino.

Pjesë e këtij marshimi u bë edhe kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla.

Pas ngjarjes makabre të vrasjes së 8-vjeçarit nga fqinji, familjarët dhe shumë qytetarë po kërkojnë rikthim të dënimit me vdekje. E pyetur nga media për këtë gjë, kryeparlamentarja Nikolla tha se është kundër.

“Në moment të forta emcoionale jo gjithmonë është vendimmarrja e duhur. Shqipëria e ka adresuar një moment të tillë dhe patjetër Shqipëria është pjesë e standardeve të BE, aderon dhe e ka nënshkruar në konventa të caktuara dhe sinqerisht unë mendoj që ky dënim nuk do të jetë ai që do të bëjë të mundur për të adresuar problemet e dhunës. Nuk mjaftojnë vetëm ligjet, patjetër duhen zbatuar por duhet edhe një ndëgjegjësim qytetar i komuniteteve që të denoncojnë dhunën”.

Aktualisht në Parlament janë depozituar gjatë muajit Nëntor dy projektligje për ngritjen e një regjistri kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, dhe pritet të merren në shqyrtim nga ligjvënësit në komisionet parlamentare.

Klan News