Për herë të parë në vendin tone zhvillohet marshimi simbolik në luftën kundër kancerit të gjirit. Pjesëmarrës në këtë marrshim sensibilizues ishin dhe Ambasadori Amerikan në Tiranë John Withers, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, si dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Në fjalën e tij ambasadori Withers inkurajoi të pranishmit duke lëshuar një mesazh sensibilizues mbi luftën kundër kancerit të gjirit.

John Wither: “Duhet ta fitojmë këtë betejë, se kanceri i gjirit është vrasësi më i madh i grave në mbarë botën. Nuk duhet të heqim dorë nga vendosmëria jonë për të vazhduar të inkurajojmë të gjithë ata persona që punojnë çdo ditë për të gjetur kurën përfundimtare të sëmundjes. Dhe ku duhet të fillojmë? Duhet të fillojmë nga vetja jonë mposhtjen e kësaj sëmundje”.

Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, u beri thirrje grave dhe nënave shqiptare të kryejnë analizat mbi kancerin e gjirit si dhe u garantoi se shërbimet për këtë sëmundje do të subvencionohen.

Jozefina Topalli: “Unë ju ftoj të gjithave përmes jush të gjitha zonjat e tjera, shkoni dhe bëni mamografinë, shkoni dhe bëni paptestin. Ne do të subvencionojmë edhe mamografitë. Lufta kundër kancerit duhet të jetë prioriteti i agjendës sonë dhe kjo është një premtim që ne do e mbajmë”.

Kreu i Bashkisë Edi Rama, i cili shoqërohej dhe nga i biri tha se kjo sëmundje mund të mposhtet nëse ajo diagnostikohet në fazat fillestare të saj.

Edi Rama: “Unë e njoh kancerin, familja ime ka luftuar me kancerin në trupin e djalit tim. Ishte një luftë të cilit unë nuk do t’ia uroja as armikut tim. Fati desh që ne ta fitonim këtë luftë”.

Aktiviteti u përmbyll me një takim miqësor mes organizatorëve dhe grave pjesëmarrëse në marshim./tvklan.al

Gazetari: Julian Kasapi