Zelensky hedh poshtë akuzat për përfshirje të Ukrainës

Flamujt u ulën në gjysmë shtizë këtë të diel në Rusi, pas masakrës në sallën e koncerteve në periferi të Moskës, që i mori jetën 133 personave, mes të cilëve mbetën të vrarë edhe 3 fëmijë, ndërsa 150 të tjerë u plagosën.

Teksa autoritetet ruse thanë se për sulmin kanë arrestuar gjithsej 11 persona dhe se 4 të armatosur u kapën teksa po shkonin për në Ukrainë, Kievi hodhi poshtë pretendimet e Moskës se është i përfshirë në sulm. Presidenti Zelenski akuzoi Putinin se po kërkonte mënyra për të larguar fajin lidhur me masakrën e të premtes.

Udhëheqësit në mbarë botën kanë dënuar ashpër sulmin terrorist të së premtes ndaj civilëve. Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate e cilësoi një ngjarje të tmerrshme dhe tha se solidarizohet me popullin rus për humbjen tragjike të jetëve.

Bashkimi Evropian reagoi përmes zëdhënësit për çështjet e jashtme Peter Stano duke u shprehur i tronditur dhe tmerruar nga sulmi terrorist.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i përcolli një mesazh ngushëllimi homologut të tij Putin, duke shprehur gatishmërinë e Turqisë për të rritur bashkëpunimin me Rusinë në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti italian Sergio Mattarella përmes një deklarate tha se bota qëndron në solidaritet pas viktimave të sulmit, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të luftojë terrorizmin në të gjitha format e tij.

Sulmi është dënuar me forcë edhe nga Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, si dhe nga udhëheqësit gjermanë, nga Sllovakia, Holanda, Zvicra, Jordania, Afganistani, Irani dhe Pakistani.

Ngushëllime për jetët e humbura kanë shprehur edhe Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, Republika Sërbska e shpalli ditë zie, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe ndezën monumentet ikonike me ngjyrat e flamurit rus në solidaritet me viktimat e sulmit vdekjeprurës që u mor përsipër nga grupi militant i Shtetit islamik.

Tv Klan