Ky është 40-vjeçari Aleks Marku nga Lezha i cili mëngjesin e kësaj të mërkure u ndalua nga forcat RENEA, pasi për disa orë mbajti peng dy fëmijët e tij të mitur dhe terrorizoi banorët e zonë së plazhit në afërsi të Shkëmbit të Kavajës në Durrës duke qëlluar herë pas here me kallashnikov.

Ishte ora 02:20 minuta kur banorët kanë lajmëruar policinë se nga një prej apartamenteve të marra me qira në vijën e parë të plazhit kishte të shtëna të vazhdueshme me armë.

Menjëherë pasi mbërritën në vendngjarje forcat e policisë i kanë bërë thirrje të dorëzohet, por 40-vjeçari i është përgjigjur sërish me të shtëna me armë.

Në këto kushte, për të mos rrezikuar jetën e efektivëve të Durrësit dhe të fëmijëve që ai mbante peng, është kërkuar ndihma e forcave RENEA, të cilat pas disa orësh negociata kanë arritur që ta bindin 40-vjeçarin që të dorëzohet.

Ky është pikërisht momenti kur Aleks Marku gjysmë i zhveshur dhe me cigare në dorë i dorëzohet efektiveve të RENEA-s.

Gjithashtu u bë e mundur lirimi i dy fëmijëve 6 dhe 11 vjeç, ndërsa gjatë kontrollit në banesë policia gjeti një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi nga ana e 40-vjeçarit janë bërë konflitet që ai kishte me ish-bashkëshorten e tij, e cila mësohet se ka edhe një urdhër-mbrojtje prej tij.

Vetë bashkëshortja e 40-vjeçarit thotë se problemet në çift kanë qenë të vazhdueshme.

Unë e mora vesh se më ka marrë Policia e Durrësit sot në mëngjes ngaqë unë kam ardhur mbrëmë nga Italia, nga ora 2 dhe kam ikur nga familja e prindërve sepse thashë që po të vija unë, ai ishte me nerva me mua dhe do u nervozonte situata më shumë, të mos vija në rrezik fëmijët”.

Policia dyshon se ai ka vepruar nën efektin e lëndëve narkotike, pasi mbi tavolinë iu gjet edhe një kartmonedhë 20 Euro në formë tubi dhe mbetje kokaine.

Tv Klan