Aleks Marku ka dalë këtë të premte para gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë. 40-vjeçari nga Lezha u arrestua mëngjesin e së mërkurës nga forcat RENEA, pasi për disa orë mbajti peng dy fëmijët e tij të mitur dhe terrorizoi banorët e zonës së plazhit në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, duke qëlluar herë pas here me kallashnikov.

Sipas gazetares Enkeleda Arapi, në një seancë e cila zgjati vetëm pak minuta dhe pa praninë e gazetarëve, 40-vjeçari mësohet se para trupës gjykuese tha se kishte hapur zjarr pasi “po e sulmonin” dhe se brenda në apartament ishin futur njerëz.

Në përfundim gjykata vendosi ta lerë në arrest me burg për tre akuza; armëmbajtje pa leje, shkatërrim prone dhe kundërshtim i forcave të policisë. Akuza e pengmarrjes u hodh poshtë. Gjatë kohës që ndodhi ngjarja, Marku dyshohet se ishte i dehur dhe nën efektin e lëndëve narkotike.

Ishte ora 02:20 minuta kur banorët lajmëruan policinë se nga një prej apartamenteve të marra me qira në vijën e parë të plazhit kishte të shtëna të vazhdueshme me armë. Pas disa orësh negociata, RENEA arriti ta bindte 40-vjeçarin që të dorëzohej. Gjithashtu u bë e mundur lirimi i dy fëmijëve 6 dhe 11 vjeç, ndërsa gjatë kontrollit në banesë policia gjeti një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi nga ana e 40-vjeçarit janë bërë konfliktet që ai kishte me ish-bashkëshorten e tij, e cila mësohet se ka edhe një urdhër-mbrojtje prej tij. Vetë gruaja tha se problemet në çift kanë qenë të vazhdueshme./tvklan.al