Plazhet e jugut të Shqipërisë janë më të kërkuara për pushuesit e huaj. Kryeminstri Rama ka postuar në rrjetet sociale opinonet e turistëve, të cilët kanë zgjedhur për të pushuar plazhet e vendit tonë, si Himarën, Borshin, Jalën e Dhërmiun.

“Gjen pushues nga e gjithë bota që po shijojnë detin, motin e bukur, ngrohtësinë e mikpritjes shqiptare dhe ushqimin fantastik, ndërsa bizneset konfirmojnë hartën e gjerë të turistëve që kanë frekuentuar bregdetin tonë, që nga vendet nordike e madje edhe vizitorë nga Argjentina e largët”.

Pushuesit janë nga shtete të ndryshme. Ata vlerësojnë plazhet e pastra, mikpritjen e ushqimin shqiptar.

“Jemi nga Republika Çeke. Këtu është shumë këndshëm, peizazh i bukur, det i qetë, një vend i bukur”.

“Koha është e mirë, njerëzit të sjellshëm, ushqimi është i mirë. Thjesht është bukur këtu. Është një vend i bukur dhe mund të lëvizim lirshëm”.

“Vij nga Skocia. Na pëlqen shumë Shqipëria. Jemi prej dy javësh këtu. Kemi udhëtuar që prej Thethit në veri, deri në Ksamil, Sarandë, Berat dhe jemi këtu. Na ka pëlqyer shumë”.

“E adhuroj këtët vend. Jam prej dy javësh këtu dhe koha ka qenë fantastike, njerëzit shumë të dashur”.

“Vij nga Turqia. Këtu në Shqipëri deti është shumë i pastër. Kjo më pëlqen sepse në Turqi e kemi problem këtë pjesë. Plazhet janë të bukura, njerëzit të dashur, është qetë. Më pëlqen shumë këtu”.

“Të gjitha më pëlqejnë, deti i pastër, mikpritja. Në krahasim me Italinë, çmimet janë konkurruese”.

Plazhet e jugut të vendit frekuentohen edhe nga pushuesit nga Vlora.

Vij nga Prishtina. Ndihem mirë. Është vend i bukur, vijmë rregullisht. Në Dhërmi, Ksamil, Jal, në gjithë bregdetin shqiptar, çdo vit vijmë 5-6 herë në vit”, u shpreh një pushues nga Kosova.

Një pushues shqiptar vlerësoi veçanërisht shërbimin dhe sigurinë

Shërbimi është goxha i mirë, në disa biznese që kam frekuentuar. Siguria po ashtu. Janë të gjithë të pajisur me sinjalistikë për skafet dhe jet ski. Mendoj që këtë vit jemi pak më mirë nga viti i kaluar, por ka akoma hapësira për t’u rregulluar”, tha ai.

Të kanqur për këtë sezon, janë dhe bizneset.

“Ka shumë të huaj dhe shqiptarë. 80% janë të huaj këtu. Kemi pasur klientë nga Argjentina, nga Suedia, nga Norvegjia”.

Edhe këtë vit numri i turistëve është në rritje. Vetëm në muajin qershor Shqipërinë e vizituan 1.2 milionë turistë ose 23.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shumica e tyre janë nga Europa dhe Amerika.

Klan News