Mbledhja e sotme e këshillit të ministrave është cilësuar e një rëndësie të veçantë nga kryeministri Berisha, pasi janë marrë një seri vendimesh që prekin direkt, duke e rritur buxhetin familjar të shqiptarëve.

Qeveria ka miratuar në këtë mbledhje vendimin e bërë dhe më herët publik nga kryeministri për rritjen dhe indeksimin e pensioneve dhe ndihmës ekonomike. Berisha e ka cilësuar këtë rritje që do të përfitohet nga këto kategori, si më të madhen e kryer nga të gjitha qeveritë demokratike në vend. Që sipas tij është realizuar falë reformave të suksesshme që përkthehet mirëqeverisje.

Sali Berisha: “Kjo është bërë e mundur për shkak të luftës kundër korrupsionit, disiplinës fiskale të bazuar në ligj, për shkak të rritjes së ndjeshme të të ardhurave. Këtë vit të ardhurat rriten me 1.2 miliard dollarë.”

Berisha ka renditur në përqindje sa është rritja reale që pensionistët shqiptarë kanë përfituar brenda 3 viteve të qeverisjes së tij. Duke e krahasuar sigurisht me vitin 2005 kur erdhi në pushtet. Këto janë tabelat e shifrave të bërë publike të bëra nga kryeministri.

Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon dhe rritjen e pagesës në masën 10% për 73 mijë persona, invalidë apo persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.  Përfshi këtu dhe një fond prej 300 milion lekësh për paraplegjikët dhe tetrapelgjikët, për kompensimin e paketës higjieno-sanitare dhe karburantit. Gjithashtu është bërë dhe indeksimi për rritjen e çmimeve për 90 mijë familje me ndihmë ekonomike. 

Këshilli i ministrave ka miratuar gjithashtu raportin përfundimtar të ofertave për shitjen e kompanisë shtetërore ARMO dhe shpalljen fitues të amerikanëve të rafineri Asocciatet Teksas.

Sali Berisha: “Ky konsortium solli një ofertë 13 herë më të lartë sesa katër vjet më parë.”

Mësohet se kompania do të derdhë njëherësh në llogarinë e qeverisë shqiptare të gjithë shumë prej 125 milion eurove, duke shmangur pagesën me këste. Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm i miratuar nga qeveria është dhe paketa fiskale e përgatitur nga ministria e financave që Berisha e cilësoi si etapën e dytë të evolucionit fiskal. Kjo paketë parashikon uljen e ndjeshme të taksave kombëtare.

Sali Berisha: “Shqipëria kalon nga një vend me 23 taksa kombëtare, në një vend me 6 taksa kombëtare. Shumë prej tyre janë hequr përfundimisht, por në këtë ndryshim qeveria qendrore i kalon qeverive vendore një seri taksash të cilat kapin vlerën 10 miliard lekë.”

Vendimi i fundit, por jo për nga rëndësia ishte dhe miratimi i hartës së fondit fizik për kompensimin e ish-pronarëve./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka