Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Partia Socialiste ka pranuar vërejtjet e Komunitetit Ndërkombëtar, për përmirësimin e procesit zgjedhor. Sot në mbledhjen e kryesisë, ajo është angazhuar për të përmirësuar këtë kuadër për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2001. Forumi i lartë socialist, ka nënvizuar se duhet të punohet me listat, disa pika të kodit zgjedhor, si dhe përmirësimin e KQZ.

Ky do të jetë edhe qëndrimi i PS, në tryezën e 15 Dhjetorit, të organizuar nga OSBE. Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari socialist Nano dhe kryeministri Meta, kanë dalë përpara gazetarëve.

Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Ne përfundimisht arsyetuam në kryesinë e PS, në funksion të adoptimit të qëndrimit tonë politik, në tryezën e 13 Dhjetorit që organizon OSBE, për të krijuar konsensusin e duhur politik me spektrin e partive parlamentare shqiptare, për përmirësimet që duhen bërë në kuadrin zgjedhor, në funksion të zgjedhjeve parlamentare 2001”.

Meta ka ftuar të gjitha forcat politike të bashkëpunojnë për të përmirësuar kuadrin zgjedhor.

Kryeministri Ilir Meta:- “Është koha për të punuar në mënyrë, që zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Shqipëri të jenë zgjedhje edhe më të mira edhe më perfekte. Për këtë arsye qeveria ka qenë dhe mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të mazhorancës dhe opozitës”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego