8 persona humbën jetën natën e kaluar teksa përpiqeshin të kalonin Kanalin e La Manshit nga Franca në Angli me një gomone.

Autoritetet u vunë në alarm pas një njoftimi të marrë rreth orës 1:00 pas mesnate. Gomonia me rreth 50 persona në bord nisi të fundosej pak pasi ishte larguar nga bregu.

Një zëdhënës i qeverisë britanike që konfirmoi incidentin tha se autoritetet franceze po vijonin hetimet.

Ka pasur një mori tentativash kalimi të kanalit në dy ditët e fundit. Autoritetet detare franceze thanë se 200 persona u shpëtuan vetëm të premten dhe të shtunën.

Ngjarja vjen më pak se dy javë nga mbytja e 12 personave, përfshirë 6 fëmijë dhe 1 grua shtatzënë.

Roja Bregdetare Franceze shpëtoi emigrantët e tjerë që ndodheshin në 4 varka. Incidenti i 3 Shtatorit ishte ngjarja më e rëndë e këtij viti në kanal.

Me 8 viktimat e fundit shkon në 45 numri i personave që kanë humbur jetën në Kanalin e La Manshit këtë vit, numri më i lartë i raportuar që nga viti 2021, sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin.

Më shumë se 21 mijë njerëz kanë kaluar Kanalin këtë vit.

Tv Klan