Këto janë momentet e arrestimit të Ryan Routh nga policia, të dyshuarit si autor i një atentati të dytë ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump.

Ai tenton të verë bluzën rozë në koke për të mos u dukur. 58-vjeçari u kap në tentativë arratisjeje, 500 metra larg fushës së golfit teksa lëvizte në autostradën pranë resortit të Trump me një makinë Nissan, në emër të vajzës së tij.

Kur u pyet se a e dinte përse po e ndalonin, Routh “u përgjigj në mënyrë pohuese”, thanë autoritetet.

Të hënën Routh doli përpara gjykatës, por ndaj tij ende nuk janë ngritur akuza shtetërore, për tentativë vrasje ndaj ish-presidentit Trump. Gjykata federale ngriti akuzën për armëmbajtje pa leje dhe se kishte në posedim armë me numër serie të fshirë. Ai rrezikon të dënohet deri me 20 vite burg, ndërsa hetimet vijojnë ende. FBI, e cila drejton hetimin, thotë se “duket të jetë një përpjekje për atentat”.

Agjencia e lajmeve Reuters bën të ditur se sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, të dhënat telefonike tregojnë se i dyshuari mund të ketë qëndruar në pritje për gati 12 orë të shtunën pranë fushës së golfit.

Routh u pikas të dielën nga Shërbimi Sekret në rrethimin e klubit të golfit në West Palm Beach të Floridas, ku i fshehur mes shkurreve mbante një automatik kallashnikov me dylbi dhe një mikrokamër. Kandidati republikan për president ndodhej në resortin në pronësi të tij për të luajtur golf. 

Ndonëse vetë ish-presidenti përgëzoi Shërbimin Sekrete për reagimin e tyre të shpejtë, falë të cilëve ai nuk pësoi lëndime, ngrihen shumë pikëpyetje për këtë rast. Mbetet për t’u sqaruar se si Ryan Routh arriti të zbulonte se Trump do të shkonte të Dielën për të luajtur Golf në resortin e tij në Florida, kur ai vetë i organizon këto aktivitete në fshehtësi dhe në minutë të fundit.

Në një reagim të mëvonshëm, Donald Trump akuzoi Biden-in dhe rivalen e tij Harris si nxitës të dhunës me retorikën e tyre të ashpër që po përdorin kundër tij në fushatën për presidencialet e 5 Nëntorit.

Tv Klan