Brenda Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme prej disa javësh ka nisur të jetë funksional një departament i posaçëm që merret vetëm me çështje që lidhen me shqiptarët e rajonit. Për ministrin Hasani, ky është tregues i politikave që ndjek qeveria, ku ai bën pjesë, për të patur vëmendje maksimale për të gjithë që jetojnë brenda kufijve të Ballkanit Perëndimor.

 “Ky departament do të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët e Luginës, me vëllezërit dhe motrat në Kosovë, me situatën në Mal të Zi. Ne do të vazhdojmë të jemi këmbëngulës, do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në mënyrë që edhe realitete të tjera të cilat kanë nevojë për vëmendjen e shtetit shqiptar, të jenë të mirë përfaqësuara brenda këtij viti”.

Hasani i ka ndarë qëndrimet e tij me të pranishmit në një nga panelet e zhvilluara në ditën e dytë të Konferencës së Ambasadorëve, ku është folur për  hapësirat shqiptare në gjeopolitikën e rajonit. Të pranishëm ishin dhe përfaqësues shqiptarë të qeverisë në Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, e kryetari i Komunës i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës. Ndërsa nga Kosova i ftuar ishte Doktori i Shkencave të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi.

Tv Klan