Prezantohet Plani i ri i Zhvillimit Profesional të Mësuesve dhe Sistemin e ri të Karrierës. Në një konferencë kombëtare me mësues dhe  drejtues të institucioneve arsimore ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se do të ulen vitet e punës për të hyrë në kualifikim, ku në fokus është rritja e cilësisë së mësimdhënies.

Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Sistemi i ri i shkallëve të kualifikimit të mësuesve do të jetë tashmë i orientuar tek mësuesit në vitet e para të karrierës. Mësuesit të cilët hyjnë në sistemin tonë arsimor do të mbështeten për të arritur gradën ‘Mësues i kualifikuar’ në 3 vitet e para të karrierës së tyre. Kemi ulur kohën për të përfituar këtë shkallë kualifikimi. Mundësojmë që për herë të parë, në 3 vitet e para të karrierës së mësuesve, përfitimi i kësaj grade të jetë me dy elemente: Me një test të informatizuar dhe gjithashtu me orë mësimore.

Reduktim të viteve kanë edhe dy kategoritë e tjera të kualifikimeve për mësuesit. 

Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: E dyta është shkalla e kualifikimit për ‘Mësues specialist’, të cilat do të jenë në vitin e 8 të punës së mësuesit, ku do të kemi orën e hapur kurrikulare, pra orë mësimore për projekte që do të japin këtë kualifikim tek mësuesit. Në vitin e 15-të kemi kategorinë e ‘Mësuesit Mjeshtër’, ku do të vijojnë trajnimi dhe edukimi në vazhdim, orët e hapura kurrikulare dhe inovacionin për përfitimin e kësaj shkalle të kualifikimit.

Manastirliu vuri theksin edhe te rolet e reja të mësuesve në shkollë, ku për herë të parë shtohen dy role të reja: Mësuesi koordinator për vlerësimin e cilësisë dhe mësuesi koordinator për orientimin e karrierës së nxënësve. 

Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Do të jenë mbi 800 mësues brenda sistemit që do të përzgjidhen për të kryer këto role sipas shkollave dhe grup shkollave, në varësi të grupit të nxënësve që do të orientojnë këto dy zhvillime të rëndësishme brenda shkollës dhe që i vlejnë në mënyrë direkte sistemit dhe në mënyrë direkte nxënësit, komunitetit dhe shoqërisë.

Nga ana tjetër ministrja tha se pagesa për kualifikimet është dyfishuar për mësuesit e rinj nga 700 lekë në 1400 lekë, dhe ata specialistë shkojë në 2800 lekë, ndërsa për mësues mjeshtër pagesa u rrit me 50%.

Klan News