Pavarësisht se Banka Botërore ka pezulluar financimin e projektit të bregdetit të jugut, qeveria është e vendosur për vazhdimin e këtij projekti. Deklarata vjen nga numri 1 i financave gjatë një konference për mediat ku ka sqaruar dhe njëherë pozicionin e qeverisë dhe të Bankës Botërore në këtë projekt.

Ridvan Bode: “Ne do t’u kërkojmë që banka shumë shpejt të deklaroj qëndrimin e saj, pasi janë në këtë projekt, janë përfshirë dhe donator të tjerë të cilët kanë kërkuar me shkrim vijimin e projektit bilateral dhe ne jemi të interesuar që projekti të vijojë nëse banka do të kërkojë zgjatje kohe të pa arsyeshme për të mbajtur qëndrimin e saj në raport me projektin, qeveria shqiptare është e gatshme që të shtojë fondet e veta për ta bërë këtë funksional projektin”.

Ministri Bode nëpërmjet një letre të hapur i ka kërkuar BB ballafaqimin e fakteve.

Ridvan Bode: “Qeveria shqiptare përmes një letre të guvernatorit të saj, drejtuar panelit të inspektimit si dhe menaxhimit të BB, ka kërkuar konfrontimin e fakteve, dokumentave dhe konsideratave jo korrekte të raportit të inspektimit. Megjithsa u përpoq që të involvojë qeverinë në një çështje të brendshme të bankës mendoj që qëndrimin zyrtar që u mbajt qoftë nga bordi i guvernatorëve, qoftë nga zyra e BB në Tiranë, mbylli këtë kapitull shpifjesh të opozitës”./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro