Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Sot paradite, Ministri i Rendit Publik Ilir Gjoni, ka pritur në një takim komandantin e misionit MAPE në Bruksel, gjeneral Pietro Pistoleze dhe përfaqësues të Komisionit Europian në Shqipëri. Qëllimi i këtij takimi, ka qenë prezantimi i shefit të ri të misionit MAPE në Shqipëri, Klaus Schmid dhe diskutimi rreth vazhdimësisë së misionit europian të asistencës për policinë shqiptare.

Gjeneral Pistoleze dhe përfaqësuesit e KE, e kanë informuar ministrin Gjoni, për kalimin në datën 31 Maj të këtij viti të misionit MAPE nën drejtimin e Bashkimit Europian. Për zyrtarët europian, tashmë Shqipëria e ka kaluar fazën e emergjencës dhe misioni do të vazhdojë veprimtarinë e tij, duke ndjekur realizimin e projekteve të nisura në bashkëpunim me policinë shqiptare.

Ministri i Rendit Publik Ilir Gjoni, në emër të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Rendit Publik, ka shprehur konsideratat më të larta për arritjet e misionit MAPE gjatë këtyre katër viteve në ndihmë të policisë shqiptare./tvklan.al