Tregu i sigurimeve të detyrueshme për transportin në vendin tonë po shkon drejt liberalizimit të plotë. Një gjë e tillë mundësohet nga një draft i ri ligjor i cili është prezantuar nga vetë ministri i financave Ridvan Bode.

Ministri tha, se projektligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit vjen në kuadër të reformave të ndërmarra nga qeveria për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të Komunitetit Europian.

Ridvan Bode: “Projektligji që po promovojmë sot, synojmë që të rregullojmë më mirë fushën e sigurimeve të detyrueshme ku ndër më kryesoret mund të përmendim. Futjen e produkteve të reja të sigurimeve të detyrueshme si për mjetet fluturuese avionët, mjetet lundruese dhe sigurimin e pasagjerëve me mjetet me transport publik. Në projekt synohet liberalizimi i primeve të sigurimit.”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të kujdeset për mirë zbatimin e këtij ligji. Deri më tani sektori i sigurimeve të detyrueshme ka operuar më një ligj të vitit 1992. Në atë kohë në Shqipëri ekzistonte vetëm një kompani siguruese që ishte shtetërore. Tashmë në vend ushtrojnë veprimtari 8 kompani të sigurimit të detyrueshëm, 7 nga të cilat janë plotësisht me kapital privat./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro