Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Rendit Igli Toska, ka paralajmëruar së do të heqë, ose do të ulë 90% të gradave të larta në polici. Duke krahasuar strukturën tonë me atë të vendeve të tjera, Toska është shprehur se gradat janë dhënë jashtë kriterit.

Igli Toska: “Kur në policitë e tjera gradat e larta zënë 1-2% të numrit të përgjithshëm të oficerëve drejtues, tek ne ato kanë kaluar çdo parashikim, duke shkuar 20 apo 23%. Të ardhurat financiare që do të krijohen nga reduktimi i gradave me hapësirat që na ka krijuar qeveria shqiptare do të kalojnë në fondin e pagave të punonjësve të policisë në rolet e ulëta.”

Në këtë mendim, kreu i rendit nuk është mbështetur nga kreu i policisë së shtetit Ibraj, i cili implementimin e gradave në vend e ka cilësuar si arritje në veprimtarinë e policisë së shtetit.

Bajram Ibraj: “Vendosja e sistemit të gradave policore, në muajin Maj të vitit të kaluar, proces që kishte mbetur në vend, megjithëse ligji përkatës ishte miratuar në vitin 2000. Ishte një arritje tjetër e policisë së shtetit në planin vetëreformues, e cila i hapi rrugën zhvillimit të një karriere të garantuar e transparente për punonjësit e policisë.”

Gjatë prezantimit të strukturës së re të policisë së shtetit, Toska ka deklaruar, se nuk do të shkurtojë 3 mijë efektiva policorë. Në lidhje me shifrën e dhënë në media dhe të diskutuar në komisionin kuvendor për rendin, Toska ka thënë, se do të largojë nga radhët blu vetëm të inkriminuarit.

Igli Toska: “Nga policia do të përshpejtohen nëpërmjet një procesi të pandërprerë, vetëm të inkriminuarit dhe abuzivët dhe për këtë nuk do të ketë reformë, por vazhdimësi, pra raportet do të jenë përsëri, një punonjës policie për 265 banorë dhe numri i përgjithshëm i policisë do të mbetet ai i mëparshmi.”

Gjatë prezantimit të strukturës së re të policisë së shtetit, drejtori i përgjithshëm Ibraj ka përfituar për të dhënë rezultate pozitive të policisë në luftë kundër drogës dhe trafikut të saj.

Bajram Ibraj: “Për rastet e kapjes të drogave të pastra rezulton, se sasia e heroinës së kapur në dy vitet e fundit të jetë, 1.5 herë më shumë se sasia e kapur në dhjetëvjeçarin 93-2002. Jo pak e suksesshëm ka qenë edhe lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike.”

Kjo bie në kundërshtim me deklaratat e dy ditëve më parë dhënë nga kryeprokurori Sollaku, si dhe me raportet e fundit të OSBE, BE dhe strukturat ndërkombëtare, të cilat shprehen se Shqipëria është jo vetëm korridor transiti i heroinës nga Azia në Perëndim, por tashmë ka të dhëna që dëshmojnë se në vend kultivohen, madje dhe prodhohen tipe drogash./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj