Zyra e NATO-s në Tiranë ka garantuar të gjithë mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në aleancë. Një mbështetje që bazohet në angazhimin e palës shqiptare për të përmbushur standardet e kërkuar, për të cilat u vlerësua se është shënuar progres.

Zëvendës ambasadori amerikan Stephan Cristina tha, se të gjitha vendet anëtare të aleancës duhet të miratojnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë, sikurse bënë SHBA vetëm pak javë më parë. Por ai kujtoi dhe disa detyrime për t’u përmbushur nga ana e palës Shqiptare.

Stephan Cristina: “Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e kufijve, si dhe të vijojë procesin e demilitarizimit të municioneve.”

Ministri Oketa gjithashtu i pranishëm në takim, tha se Shqipëria është ne metrat e fundit për t’iu bashkuar aleancës.

Gazmend Oketa: “Ne e dimë se anëtarësimi në NATO nuk është vetëm çështje e politikë së dyerve të hapura dhe vullnetit të mirë, është një përpjekje e koordinuar kombëtare për të arritur detyrimet dhe standardet e kërkuara. Ne jemi të qartë se anëtarësimi sjell si përfitime ashtu edhe detyrime.”

Takimi u organizua nga zyra e NATO-s në Tiranë, me pjesëmarrjen e ambasadorëve, vendet e të cilëve janë anëtar të aleancës./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi