Kryeministri Berisha ka mbledhur Komitetin Ndërministror të Politikave të Integrimit për të marr në analize progres-raportin e KE, raport i cili nga kryeministri është vlerësuar si tepër objektiv për përparimin që ka njohur Shqipëria përgjatë 2008. Ky progres përgjatë qeverisjes demokratike sipas Berishës duhet të pranohet dhe lexohet drejt dhe nga më skeptikët.

Sali Berisha: “Kryefjala pothuaj çdo paragraf është përparimi. Jo 100% të rasteve, por numërohen me gishtërinjtë e dorës në rastet kur kjo fjalë mungon ose kur thuhet se nuk ka patur përparim.”

Sipas kreut të mazhorancës progres raporti sjell 2 mesazhe tepër të rëndësishme për shqiptarët.

Sali Berisha: “Shqipëria me progresin e reformave që ka bërë, është në rrugën e të qenurit një vend potencial për statusin e kandidatit. Ka një mesazh të dytë të madh të cilin e konfirmoj ambasadori Lohan. Shqipëria është një vend potencial dhe shqiptarët janë një komb potencialisht të mundshëm për të përfituar heqjen e vizave me BE.”

Duke marr në analizë paragrafin ku raportohet për mediat dhe lirinë e tyre jo pa ironi kryeministri ka komentuar:

Sali Berisha: Mpleksja e raportit, po e citoj tekstualisht pleksja e biznesit, interesave politik edhe mediave vazhdon të cenojë zhvillimin e mediave të pavarura. Në qoftë se bën biznes gazetën, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm shitesh e të blihesh tek klienti i parë që do dalë. Kur në mënyrë të përsëritur, këtyre miqve të mi gazetar që vijnë në këtë sallë unë një dhe dy u kujtoj pronarët. Ja pra ku del raporti, nuk jam vetëm unë.

Por duke folur përpara ministrave të tij Berisha ka pranuar dhe problemet të evidentuara në raport siç është korrupsioni. Për këtë ai i ka kërkuar anëtareve të kabinetit të tij që pavarësisht punës së madhe që del përgjatë vitit të ardhshëm për shkak se është një vit elektoral ta shohin këtë raport si program të punës së tyre dhe të përpilojnë sa më shpejt plan veprimin për zgjidhjen e të gjitha detyrimeve që vendi ka në kuadër të integrimit në BE për vitin e ardhshëm./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka