Dy nga akset kryesorë dhe më problematik të qarkullimit rrugor në Shqipëri, pikërisht segmenti Fushë-Krujë-Milot dhe Plepa-Rrogozhinë do t’i nënshtrohen rikonstruktimit.

Me Vendim të Këshillit të Ministrave, këto dy arterie të cilësuara si autostradat e vdekjes do të zgjerohen për t’u bërë me 4 korsi, nga dy të tilla ku mund të lëvizet aktualisht.

Këto akse rrugore do të jenë vetëm dy nga rrugët e shumta të Shqipërisë që do të ndërtohen apo rindërtohen dhe që janë pjesë e një planit tepërt të gjatë të hartuar nga ministria e punëve publike dhe drejtoria e përgjithshme e rrugëve.

Sali Berisha: “Performanca fiskale, mbledhja e të ardhurave, privatizimet e suksesshme i japin mundësi qeverisë brenda këtij viti, të hap tendera dhe nisin punimet  për akse të rëndësishme. Ky mandat dhe së paku dy vitet e para të mandatit që vijnë, në rast se Shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancë, rrugët do të jenë agjendë madhore e kësaj qeverie. Nuk janë përfshirë këtu dhe qindra kilometra të tjera rrugë rurale që ndërtohen apo janë në ndërtim e sipër, me fondet, grantin e ministrisë së Brendshme dhe ato çka qeveritë vendore me fondet e tyre ndërtojnë.”

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të zhvilluar pasditen e të premtes,u  miratuan ndër të tjera dhe vendimin për ndërtimin e disa poligoneve, ku do të bëhet demontimi i armatimeve ushtarake, gjithashtu u miratua dhe marrëveshja koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka