Edhe pse prej kohësh arsimi 8-vjeçar njihej si 9-vjeçar, vendimi për rritjen me një vit të arsimit bazë është marrë një ditë më parë nga qeveria. Ndërsa arsimi i mesëm ka kaluar në sistem 3-vjeçar.

Në të njëjtën kohë shkollat e mesme të përgjithshme  kanë marrë emërtimin gjimnaz. Ky emërtim i përdorur nga populli është konsideruar nga ministri i Arsimit Genc Pollo i rëndësishëm për nga simbolika.

Genc Pollo: “Vendimi i djeshëm për të rikthyer emërtime tradicionale është një tjetër hap për të çmontuar pasojat e komunizmit. Krahas përpjekjeve të gjithanshme për t’u sjellë shkollave tona autoritetin dhe reputacionin e gjimnazeve të dikurshme.”

Pas këtij vendimi termi shkollë e mesme e përgjithshme nuk do të përdoret më, por ato do të njihen thjesht gjimnaze. Ashtu si 40 vite më parë. Termi gjimnaz është zëvendësuar në vitin 1969 nga regjimi komunist në përpjekje për të fshirë traditën evropiane borgjeze në vendin tonë.

Megjithatë, përjashtuar dokumentacionin dhe komunikimin zyrtar emërtimi shkollë e mesme e përgjithshme nuk gjeti përdorim në të gjitha nivelet e popullsisë. /tvklan.alGazetare: Brunilda Cami