Qeveria nëpërmjet Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, konfirmoi se është e gatshme të nisë që nesër projektin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Ky projekt njihet ndryshe si një nga arteriet kryesore të sistemit rrugor të kryeqytetit në planin aktual rregullues në fuqi që prej vitit 1989.

Sokol Olldashi: “Jemi të gatshëm të fillojmë zbatimin e projektit që nesër. Duhet të kemi të qartë dhe një gjë. Marrëdhënia që bashkia ka me këtë projekt duhet të jetë një marrëdhënie shumë transparente. Prej 22 ditësh unë i kam dërguar një kërkesë zyrtare kryetarit të bashkisë së Tiranës, zotit Rama që të vërë në dispozicion të Ministrisë së Punëve Publike projektin e zbatimit të Unazës së Madhe të Tiranës. Në mungesë të një përgjigje zyrtare unë po ftoj kryetarin e bashkisë në qoftë se vërtet ka një marrëveshje kredie, në qoftë se i ka burimet e financimit le t’i tregojë. Në qoftë se mendon vërtet se do ta mbulojë Unazën e madhe me buxhetin e bashkisë të na tregojë se si sepse nuk ka as edhe një lloj mundësie që buxheti i bashkisë të mbulojë këtë projekt”.

Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës që nis nga ura e Shkollës Teknologjike e deri në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit prej kohësh është kthyer në garë mes institucioneve të bashkisë dhe Ministrisë së Transporteve.

Vetë ministri Olldashi ndërsa ftoi Ramën që të bëjë publik projektin së bashku me burimet e financimit dha këtë koment në adresë të kryebashkiakut:

Sokol Olldashi: “Në qoftë se nuk ka asnjë alternativë zgjidhje e ftoj që së pari të mos gënjejë qytetarët e Tiranës dhe së dyti të tregohet një njeri logjik dhe të dorëzojë projektin në mënyrë që ne të fillojmë punën sa më parë sepse është kollaj të thuash që unë do ndërtoj Unazën në 2012, por jemi vetëm në fillim të vitit 2009. Zoti Rama ka filluar është bërë si kaleshi i autostradës ku edhe i fundit që mbjell fidanë në mëngjes, i shkund në drekë, i mbjell prapë pasdite. Të merret me gjëra serioze dhe të dërgojë projektin në mënyrë që ne menjëherë të fillojmë realizimin e tij dhe mjaft me gënjeshtrat për buxhetin”.

Sipas Ministrit të Transporteve, Olldashi, dikasteri që ai drejton ka mbyllur tashmë dhe fazën e shpronësimeve pas vendimit të marrë nga komisioni përkatës dhe 20 ankesave të evidentuara gjatë gjithë procesit./tvklan.al