Shqipëria dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunimin kulturor midis të dy vendeve.

Nënshkrimi nga pala shqiptare u bë nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, dhe nga pala ruse ambasadori Aleksandër Prishepov.

Ylli Pango: “Nënshkrimi i këtij programi nuk do të thotë që kemi filluar dhe do të vazhdojmë tani, por gjatë kësaj kohe janë zhvilluar mjaft veprimtari të ndërsjella. Ky program bashkëpunimi synon sidomos bashkëpunim në fushën e artit, në atë të muzikës, të trashëgimisë kulturore, të medias dhe informacionit masiv.

Aleksandër Prishepov: “Programi i nënshkruar sot është një vazhdim i projektit të nënshkruar midis qeverive tona në vitin 1995. Ky program parashikon krijimin e filmave të përbashkët, si dhe bashkëpunime në fushën e sportit dhe të botimeve, shpresojmë që kjo marrëveshje do të shërbejë si lidhje midis popujve tanë.”

Kjo marrëveshje ndër të tjera synon rritjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Rusisë në fushën e artit pamor, kryesisht teatër, kinematografi, pikturë, fotografi si dhe për shkëmbime dypalëshe ekspertësh./tvklan.al