Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Zëdhënësi i Ministrisë së Rendit Publik ka deklaruar, se deri në orën 13:00 zgjedhjet elektorale nuk paraqesin asnjë problem. Megjithatë, ai ka përmendur disa nga incidentet e ndodhura deri tani në të gjithë Shqipërinë nëpër qendrat e votimit.

Florion Seriani:- “Efektivët e policisë i janë përgjigjur në kohë çdo kallëzimi apo sinjalizimi, të subjekteve të ndryshme elektorale, duke bërë hetime dhe verifikimet përkatëse, si dhe duke kaluar materialet për gjykim dhe ndjekje organeve të prokurorisë. Nga incidentet e shënuara deri tani, mund të përmendim, se në Qarkun e Shkodrës në orën 10:30, në qendrën e votimit 321, në shkollën “Vasil Shanto”, persona të paidentifikuar kanë vjedhur 100 fletë votimi. Në Qarkun e Korçës, në zonën e Liqenasit, sekretari e ambasadës maqedonase Stevan Silcki, me një mjet tip Fuoristrada me targa CD 17 03, në të cilin janë vendosur mbishkrimet e OSBE-ODHIR, ka lëvizur në këtë zonë, duke kontaktuar banorë të zonës dhe duke u interesuar për procesin zgjedhor. Në Qarkun e Durrësit rreth orës 9:20, komisioneri i PD në qendrën e votimit Sukth, Vladimir Shehu, ka konstatuar si jo të rregull prezëncën pranë qendrës së votimit të kandidatit për këshillin bashkiak Nexhip Hyseni. Personat në fjalë kanë debatuar dhe janë shtyrë me njëri-tjetrin. Në Qarkun e Lezhës, në fshatin Kotër të komunës Dajç, në oborrin e qendrës së votimit numër 700, shtetasi Pal Frroku ka kërcënuar me armë vëzhguesin e PDK shtetasin Gjergj Hila”./tvklan.al