Zgjedhje kryesisht të qeta me pjesëmarrje të kënaqshme. Ky ka qenë gjykimi paraprak i vëzhguesve ndërkombëtar për zgjedhjet lokale që u zhvilluan sot në Irak.

Duke krahasuar zgjedhjet e para të këtij lloji në Janar të 2005-ës votimi i sotëm duket se ka tejkaluar çdo parashikim.

Rreth 15 milion irakianë kishin të drejtën e votës, ndërsa pjesëmarrja vlerësohet me 30 deri në 60% në varësi të rajoneve.

Që prej orëve të para të mëngjesit miliona vetë iu drejtuan qendrave të votimit për të shprehur me votë vullnetin e tyre.

14 mijë kandidatë janë në garë për 440 vende në 18 provinca të Irakut. Masat e sigurisë ishin në nivele të larta në të gjithë vendin për të shmangur ngjarje të përgjakshme.

Pavarësisht kësaj janë shënuar incidente të vogla në disa qendra votimi, por pa pasoja të rënda.

Problemet nisën nga kandidatët e partive sunite që hodhën dyshime për manipulime. Në Dikrit një person ka mbetur i vdekur dhe gjashtë të tjerë janë plagosur gjatë një atentati.

Komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar këto si zgjedhjet më të rëndësishme që prej rrëzimit të regjimit të Saddam Husseinit duke i vlerësuar si tregues të demokracisë së brishtë të Irakut.

Ndërsa për analistët këto zgjedhje përbëjnë në vetvete një lloj referendumi për qeverisjen e kryeministrit aktual, Nuri Al-Maliki.

Menjëherë pas mbylljes së kutive ka nisur numërimi i votave, rezultatet e të cilave pritet të bëhen të ditura javën e ardhshme./tvklan.al