Qendra Kombëtare e Kontrollit të Cilësisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore, ka hartuar standardet për katër shërbimet atë të kujdesit parësorë, të shërbimit farmaceutik, stomatologjik dhe të laboratorëve mjekësor, si dhe strategjinë për hartimin e udhërrëfyesve klinik, mbi bazë të së cilës janë hartuar udhëzues për disa patologji.  këto dokumente i janë dorëzuar Ministres së Shëndetësisë Anila Godo. Drejtori i QKCSA-së Isuf Kalo u shpreh se standardet do të ndihmojnë në akreditimin e institucioneve shëndetësore.

Isuf Kalo: “Qendra jonë do vej, pasi ua ka dhënë standardet që t’i njohin paka shumë si detyrat e shtëpisë, t’i plotësojnë. I lëmë një afat 6 mujor ose 1 vit t’i studiojnë, t’i rregullojnë, t’i korrigjojnë ne mund t’i ndihmojmë në këtë proces dhe kur të thonë që jemi gati për akreditim atëherë ne do shkojmë që t’i vlerësojmë”.  

Ministria e Shëndetësisë Anila Godo, e cilësoi hartimin e standardeve dhe strategjisë për udhëzuesit klinik, një dhuratë të çmuar për reformën spitalore.

Anila Godo: “Është një lehtësi për stafin tonë që jemi vënë me shumë punë me shumë përkushtim të punojmë për reformën spitalore dhe një nga pikat kryesore është të marrim dhe të punojmë fort me këto udhërrëfyes, të kërkojmë, të zgjerojmë, të bëjmë udhërrëfyes të tjerë se mbi bazën e tyre udhërrëfyesve ne do të detajojmë protokollet në të gjitha zërat e tyre për të vënë atë që kemi thënë çmimin pranë çdo diagnoze dhe pranë çdo shërbimi në mënyrë që të arrijmë në qëllimet më finale të reformës që këto shërbime të ofrohen”.

Caktimi i standardeve për institucionet shëndetësore do të ndikojë në rritjen e cilësisë së këtij shërbimi për pacientët./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferri