Shqipëria ka për herë të parë një studim të plotë dhe të zgjeruar mbi shpeshtësinë e sëmundjeve neurologjike .

Rezultatet e këtij studimi u bënë publike në konferencën e dhjetë ndërkombëtare “Neuromesdheu” zhvilluar në qytetin e Durrësit.

Në të morën pjesë mjekë neurologë nga i gjithë vendi si dhe nga dhjetë shtete të rajonit. E pranishme në këtë aktivitet ishte dhe Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, sipas të cilës shkëmbimi i eksperiencave mbi përhapshmërinë e sëmundjeve të neurologjisë është një mundësi për të patur më shumë informacion rreth kësaj fushe.

Shefja e shërbimit të neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare, profesor-doktor, Jera Kruja, e cilësoi studimin në fjalë si një ndihmë të vyer për shërbimin neurologjik shqiptar.

Ai ka përfshirë të gjitha grupmoshat duke analizuar shpeshtësinë e këtyre sëmundjeve në lidhje me moshën dhe seksin dhe është kryer në një hark kohor prej dy vjetësh.

Sipas studimit sëmundje të tilla si epilepsia, dhimbjet e kokës, Parkinsoni e të tjerë janë të njëllojta në të gjitha rajonet.

Konferenca “Neuromesdheu” cilësohet i një rëndësie të veçantë për mjekësinë shqiptare./tvklan.al