Komisioni i posaçëm Zgjedhor i dha fund punës se tij, duke miratuar kodin e ri zgjedhor. Dokumenti që përcakton rregullat e përgatitjes, zhvillimit, administrimit, mbikëqyrjes dhe shpalljes se rezultatit te zgjedhjeve, qofshin këto për kuvendin apo organet e qeverisjes vendore. Për herë të parë në kod përcaktohen periudhat e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve. Kështu zgjedhjet lokale apo të përgjithshme do të zhvillohen, brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi ne 30 qershor, ose 15 shtatori ne 30 nëntor.

Kodi reflekton ndryshime dhe në institucionet e përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve,  nene këto të kontestuara nga disa parti politike, që e panë këtë zhvillim, si përjashtim të tyre nga ky proces, duke paralajmëruar vjedhjen e votës nga dy partitë e mëdha. Kështu KQZ do të përbëhet nga 7 anëtarë dhe jo më 9, duke i rikthyer këtij institucioni të njëjtin konfigurim sikurse kishte përpara vitit 2006. Anëtaret e KQZ zgjidhen nga kuvendi me një mandat 4 vjeçar. Edhe në këtë pikë komisioni ka reflektuar ndryshim jo vetëm në reduktimin me një vit të mandatit të komisionit por dhe heqjen e së drejtës së presidentit dhe KLD  për të propozuar anëtar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një zhvillim që duket rrjedh nga kushtetuta. Ligji themelor nuk u njeh të drejtën këtyre institucioneve kushtuese, të përfshihen në këtë proces.

Të drejtën e propozimit të anëtareve në KQZ e gëzojnë vetëm partitë politike. Dy partive të mëdha i takon secilës nga 2 anëtarë. Anëtari i pestë propozohet nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, ndërsa anëtari i 6 nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare. Në këtë pikë hyn në lojë dhe mbështetja e dy grupimeve më të mëdha parlamentare. Mbështetja me firma për kandidaturat e propozuara nga grupimet respektive përkthehet ndryshe një vend në KQZ.

Për shkak të sistemit të ri zgjedhor për herë të parë do te flitet për komisione të zonave të administrimit zgjedhor ose KZAZ të ngjashme me ish KZQV.  Këto komisione do të përbëhen nga 7 anëtarë ndryshe nga sa parashikohej në kodin paraardhës, me 13 anëtarë. Në KZAZ dy partive të mëdha u takojnë secilës nga dy anëtarë të komisionit, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një nga partia e dytë në opozitë. Si bazë për vlerësim merren zgjedhjet pararendëse, në rastin e atyre të përgjithshme rezultati i zgjedhjeve të vitit 2005. Mënyra e ndërtimit të KZAZ-ve është një tjetër çështje e kontestuar nga partitë e vogla parlamentare që reduktimin në 7 anëtarë të komisionit e shohin si përjashtim nga procesi.

 Komisionet e qendrave të votimit ose KQV do të përbëhen gjithashtu nga 7 anëtarë. Partitë e mëdha si arsyetim kryesor mbi reduktimin e numrit të komisionarëve në institucionet e  përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve kanë dhënë kërkesën e vazhduar në këtë drejtim të OSBE-ODIHR.

Kodi i ri parashikon që grupet e numërimit të votave të përbëhen nga 4 anëtarë nga të cilët 2, i takojnë dy partive të mëdha. Dy të tjerët zgjidhen me short, një nga partitë e mazhorancës qeverisëse dhe një nga partitë e opozitës. Ligji i ri elektoral parashikon zgjidhje dhe mbi një nga çështjet e shumë debatuara ajo mbi dokumentet e identifikimit që një shtetas paraqet në momentin e votimit. Kështu do të votohet me kartat e reja të identitetit dhe pasaporta. Për sa i takon kësaj të fundit krahas pasaportave të reja me elemente biometrike mund të votohet dhe me pasaportat aktuale afatet e së cilës për përdorim, nuk kanë përfunduar.

Procesi i numërimit të votave për herë të parë do të monitorohet nga kamera regjistruese dhe monitorë për shfaqjen e fletës së votimit, përpara vlerësimit të saj. Kandidatët  për deputet mund të regjistrohen si të tillë vetëm për një zonë zgjedhore. Përjashtim bëjnë kryetarët e partive te cilët mund te kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore në zgjedhjet për kuvendin.

Risi e kodit konsiderohet dhe vendosja e kuotave për gratë. Të paktën 30% e listës shumë emërore për çdo zonë zgjedhore duhet të përbëhet nga gratë. Kodi i ri  synon garantimin e transparencën në financimit te partive politike, një kërkesë kjo e vazhdueshme e Bashkimit Evropian e përmendur dhe në progres-raportin për vitin 2008. Krahas financimit te përcaktuar me ligj nga fondet publike partitë mund te marrin fonde dhe nga persona fizik dhe juridike. Por shuma  që secili prej tyre financon, nuk mund te kalojë vlerën e 1 milion lekeve. Dhurimi i fondeve me vlere më të madhe se 100 mijë leke, duhet të bëhet vetëm me llogari të posaçme bankare.

Për sa i takon procesit te ankimit kodi i ri ruan te njëjtën procedure, me dy shkallë, Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve  dhe kolegjin zgjedhor. Pavarësisht se sistemi i ri zgjedhor parashikon ruajtjen e një pragu natyror për çdo rajon, në përllogaritjen e mandateve në kodin e ri janë vendosur gjithsesi pragje. Kështu përjashtohen nga shpërndarja e mandateve ato parti politike që kanë marrë më pak se 3% dhe koalicionet qe kane marre me pak se 5% te votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse. Drafti i kodit të ri zgjedhor u miratua në fund të mandatit te shtyre disa herë te komisionit te posaçëm kuvendor. Vula përfundimtare do të vendoset në kuvend ndoshta të enjten e javës që vjen. /tvklan.al

Gazetare Menada Zaimi