Pasditen e 2 Shkurtit Eleni Basho u qëllua me tre plumba, ndërkohë që po kthehej në shtëpi pranë dy fëmijëve të saj. Në rrethana misterioze 36-vjeçarja u gjet e vdekur vetëm 30 metra larg shtëpisë së saj.

Si pasojë e plagëve në kokë, gruaja humbi jetën. Vrasja e saj tronditi opinion publik, provokoi një furtunë shkarkimesh në Policinë e Tiranës, si dhe hodhi shumë dyshime.

Hetimet zbuluan se viktima dhe bashkëshorti i saj prej disa muajsh kishin konflikte dhe marrëdhënia e tyre ishte e acaruar.

Ditën e sotme drejtori i Policisë së Tiranës, Berndard Çaushaj deklaroi se porositësi i vrasjes me paramendim të 36-vjeçares është bashkëshorti i saj, Ilia Pasho, i cili është ndaluar, ndërkohë që hetimet po vijojnë.  

Për të diskutuar mbi vrasjen tragjike të Eleni Bashos në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Fatos Lubonja, Preç Zogaj, Artur Zheji, Artan Hoxha, Iris Luarasi dhe Anduena Llabani.

Ndërsa pjesën e dytë emisioni “Opinion” trajtoi ngjarjen tragjike që ndodhi më 20 Shkurt në Afganistan, ku një prej pjesëtarëve të batalionit special të ushtrisë shqiptare, kapiten Feti Vogli humbi jetën. Ndërsa pjesëtari tjetër, Aleksandër Peçi u plagos rëndë, por tanimë është jashtë rrezikut për jetën.

Batalioni special shqiptar ishte në një mision paqeruajtës në Kandahar të Afganistanit, kur u goditën pas shpine nga efektivët e policisë afgane. Kapitenit Feti Vogli iu dha statusi “Dëshmor i Atdheut” dhe trupi i tij do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit përmes nderimeve më të larta.

Panelit të sotëm të emisionit “Opinion” iu bashkua zv. Ministri i Mbrojtjes Paskal Milo dhe Ministri i Kulturës Aldo Bumçi./tvklan.al