Partia Demokratike nuk ndihet e sigurt për rrëzimin e qeverisë Nano, me anë të mocionit të mosbesimit, që do të votohet të enjten në parlament, në seancën e jashtëzakonshme. Ky mocion nuk do t’i shërbejë opozitës për të rrëzuar Nanon, pasi mungojnë numrat, por do të tregojë moralin e kryeministrit, pasi mungoi në tragjedinë e klandestinëve. Këtë shpjegim jep Nënkryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Jozefina Topalli: “Për hir të së vërtetës, ky mocion mosbesimi është ngritur, është bërë me idenë për të treguar amoralitetin e politikanëve. Ne jemi të sigurt se të gjithë politkanë e majtë, deputetët e majtë do të votojnë kundër mocionit të mosbesimt, do të votojnë kundër rrëzimit të Fatos Nanos. Pra, ata do të votojnë dhe do t’u thonë shqiptarëve, që ne jemi për Fatos Nanon, punë e madhe fort se Fatos Nano ka qenë në vakanca, punë e madhe fort se ai ka qenë në hotele, punë e madhe fort se ai nuk çan kokën kur këtu mbyllen njerëzit. Ky është amoraliteti i tyre dhe në këtë duam t’u tregojmë shqiptarëve. Nuk kemi asnjë iluzion se Zoti Fatos Nano do të rrëzohet me këtë mocion mosbesimi.”
Këtë mocion do ta mbështesin edhe partitë e tjera të spektrit të djathtë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Reformatorëve, Nard Ndoka, shprehet se do të mbajnë qëndrimin kundër kryeministrit, por ky moment nuk duhet të shfrytëzohet politikisht.

Nard Ndoka: “Mocioni që kemi kërkuar ne ishte, në një farë mënyre për rrëzimin e qeverisë Nano, për shumë e shumë probleme politike, që kishte mbërthyer, për një krizë që kishte mbërthyer mazhorancën socialiste dhe në atë kohë nuk u mirëprit nga Partia Demokratike. Tani është një situatë tjetër mendoj, megjithëse është një tragjedi kombëtare, që nuk do të ishte shhumë pozitive që ndoshta të politizohej si ngjarje, por gjithsesi, ne do t’i bashkëngjitemi asaj lëvizje opozitare.”/tvklan.al