I gjithë vendi është përfshirë që prej mbrëmjes së djeshme nga një mot i keq, i shoqëruar me erë të fortë, reshje dëbore dhe reshje shiu. Rajone te tëra në veri dhe në jug janë zhytur në errësirë për shkak të dëmtimit të rrjetit të shpërndarjes të energjisë. Problemet më të shumta janë hasur në veri te vendit.  Në Kukës era e fortë ka dëmtuar shtëpi, dyqane, por  edhe plevica bagëtish.

Ndërkohë reshjet e dëborës që kanë arritur deri në 30cm në rajonin e Pukës kanë bllokuar rrugën nacionale Kukës-Tiranë në vendin e quajtur Qafa e Malit dhe në segmente te tjera.

Këto janë  pamjet  paraditen e sotme e filmuara në dalje të Elbasanit. Pemë të rrëzuara, shtylla tensioni të energjisë të rëna përtokë, çati dhe tjegulla te zhvendosura nga era e fortë.

“Ra njëri plep, se ishin 2 plepa këtu, mbas 10 minutash ra ky tjetri dhe ra mbi këtë dyqan, gruaja ishte brenda.”

Në qarkun e Elbasanit shumë fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Probleme me energjinë elektrike ka pasur edhe ne qarkun e Fierit si pasojë e dëmtimit të rrjetit energjetik. Reshje të shumta shiu kanë rënë  ne Berat dhe Gjirokastër. Që prej mesnatës së djeshme në gjithë vendin janë regjistruar temperature të ulëta, ndërkohë që moti i keq pritet të vijojë dhe në ditët e para të javës që vjen./tvklan.al

Gazetar: Leonard Mitro

Montazh: Vilma Halilaj