Kryeministri Fatos Nano ka kritikuar ashpër për mosrealizim të investimeve publike Ministritë e Arsimit, Shëndetësisë, Transporteve dhe Energjitikës. Gjatë komitetit ndërministror të politikave ekonomike kryeministri i ka kërkuar ministrave përkatës të nisin procedurat për shkarkimin e katër sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Sipas burimeve qeveritare, sekretarët e përgjithshëm janë përgjegjës për problemet me investimet duke qenë drejtues të komisioneve të tenderimit të fondeve publike.

Aldrin Dalipi: “Kryeministri tërhoqi vëmendje për problemet e evidentuara Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ministrit të Shëndetësië, Ministrit të Transportit dhe strukturave përgjegjëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, ministrit të Industrisë dhe Energjitikës. Fillojmë procedimin disiplinor në përputhje me legjislacionin e shërbimit civil ndaj të gjithë personave që do të rezultojnë përgjegjës për shkeljet e konstatuara pavarsisht nga niveli i tyre duke filluar nga niveli më i lartë nga sekretarët e përgjithshëm.”

Komiteti i politikave ekonomike ka diskutuar dhe për fondin shtesë të buxhetit të shtetit nga paratë e përfituara nga privatizimi i Bankës së Kursimeve. Gjysma e fondit shtesë do të përdoret për shlyerjen e borxhit të qeverisë, ndërsa pjesa tjetër për investime publike. /tvklan.al