Partia Demokristiane ka prezantuar 14 kandidatët e saj për Qarkun e Elbasanit. Në një takim me mbështetës dhe simpatizantë të partisë kreu demokristian Nard Ndoka, i ka cilësuar zgjedhjet e 28 qershorit si një test i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, duke e quajtur alternativën e majtë  të padenjë për të qeverisur vendin.

Nard Ndoka: “PDK nuk beson se e majta shqiptare që flet për politikë të re dhe drejtohet pothuajse në të gjitha strukturat e saj nga ish-ministra të diktaturës duke sjellë ndonjë ndryshim, do sjellë ndonjë model të mirë.”

Duke shpallur bashkimin me Polin e Lirisë të disa ish-figurave politike të së djathtës, Ndoka tha se partia Demokristiane dhe koalicioni ku ajo bën pjesë do të synojë të jetë forcë përcaktuese në betejën e ardhshme elektorale.

Nard Ndoka: “Ne krijuam Polin e Lirisë, grupimin e dytë më të madh, ku çdo ditë e më shumë po bashkohen intelektual të ri, gra e pensionistë, biznesmenë  e sipërmarrës të ndershëm që besojnë tek hapësira jonë për të bërë forca politike që vendos balancën në jetën politike pas 28 qershorit. Por sot do ta deklaroj publikisht se edhe kryeministri Meksi edhe dy ish-zëvendës kryeministrat e asaj qeverie e cila është më e suksesshmja pas diskutim në sytë e gjithë shqiptarëve për vitet e rrëzimit komunist, do të jenë pjesë e Polit të Lirisë.”

Sipas Ndokës përfaqësimi i komunitetit rom, atij egjiptian në radhët e dekomkristianëve do ta rendisin PDK-në, fituese në zgjedhjet e 28 qershorit./tvklan.al