NATO-ja dhe forca e saj paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, janë “shumë të shqetësuar për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj”. Zyrtarët e Aleancës Veriatlantike nxisin palët të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

Sipas NATO-s,“është për të ardhur keq që angazhimi në dialog nuk ka prodhuar marrëveshje apo çuar drejt thellimit të dialogut dhe kjo nënkupton që tensionet në terren vazhdojnë të kenë pasoja për sigurinë.”

Zyrtarët e Aleancës Veriatlantike u shprehën se do të vijojnë që t’i nxisin të dyja palët që të angazhohen në mënyrë sa më konstruktive dhe më të dobishme, sepse sipas tyre e vetmja zgjidhje e vërtetë e situatës është zgjidhja politike. Pas incidenteve në veri ku mbetën mbi 90 ushtarë të KFOR-it të plagosur NATO ka rritur numrin e ushtarëve nga 3700 në 4600 paqeruajtës.

Trupat e NATO-s po ashtu kanë katërfishuar praninë e tyre në pjesën veriore të Kosovës dhe kanë trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Klan News