Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Organizatat Fitimprurëse me xhiron mbi 30 mijë dollarë në vit, drejtues të mediave dhe persona publik me pagën në nivelin e deputetëve do të deklarojnë pasuritë. Këtë synon shtesa në projektligjin e deklarimit të pasurive propozuar nga deputeti republikan Neritan Alibali.

Neritan Alibali: “Nuk më duket që logjika sipas të cilës ne kemi shumë ligje ne kemi shumë struktura kontrolli, mund të ndikojë për ta hedhur poshtë këto kategori për t’i kontrolluar.”

Ligji është kundërshtuar nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive dhe koalicioni shqiptar kundër korrupsionit.

Enkelejd Alibeaj: “A ka të drejtë publiku të njihet me këto të dhëna? Të dhëna të cilat jo vetëm sipas legjislacionit shqiptar, por dhe sipas praktikës gjyqësore të gjykatës europiane për të drejtat e njeriut, konsiderohen si të dhëna personale”.

Ndërkohë që deputetët e komisionit parlamentar të ekonomisë kanë përkrahur shtesën në ligj.

Ylli Bufi: “Në asnjë rast nuk kam parë që korrupsioni është barasi në rastet kur ka të bëjë me shpërdorimin e fondeve publike vetëm nga nëpunësi shtetëror, absolutisht jo. E parë kështu është një përkufizim tepër i cunguar është korrupsion fondesh në rastet kur ka, po është edhe një fenomen që duhet marrë në konsideratë, ka të bëjë me atë që këtu flasim për njerëz që kanë një ndikim shumë më të rëndësishëm mbi opinionin publik, sesa edhe një nëpunës i thjeshtë administrate që mund të ketë korruptim financiar”./tvklan.al