Votimi me 8 vota pro dhe 6 kundër për ndryshimin e emrit të universitetit të Vlorës nga “Ismail Qemali”  në Universiteti i Vlorës. Ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe më gjerë.

Rektori aktual i universitetit Tanush Shaska shpjegon arsyet se përse u kërkua një ndryshim i tillë. 

Tanush Shaska: “Përmisimi i imazhit të universitetit është synimi ynë kryesor. Duke pasur parasysh  këtë unë ende mendoj se universiteti i Vlorës është shumë herë më i marketueshëm sesa universiteti “Ismail Qemali.”

Për ish-rektorin Kreshnik Bello ky vendim i senatit është një veprim i turpshëm dhe një absurditet shumë i madh.

Kreshnik Bello: “Është një ngjarje tepër jo korrekte që  universiteti i Vlorës duhet të përpiqet ta meritojë emrin e Ismail Qemalit dhe jo të bëjë veprime të tilla krejt absurde, krejt të pakuptimta, pa u konsultuar me pedagogët, pa marrë një opinion të pedagogëve të gjithë universitetit.”

Heqja e emrit të Ismail Qemalit nga universiteti i Vlorës është kundërshtuar edhe nga kryebashkiaku i këtij qyteti Shpëtim Gjika dhe një pjesë e politikës në Tiranë.

Kreu i LSI Ilir Meta i ka kërkuar ministrit të sapo emëruar të arsimit  Fatos Beja, pezullimin e rektorit dhe shkarkimin e tij nga detyra.

Ilir Meta: “Ky akt përbën një turp kombëtar dhe një veprim shumë të rëndë ndaj njërit prej simboleve më të denja të kombit shqiptar, patriotit të njohur shqiptar Ismail Qemalit. Arsyetimi se hiqet emri pasi Ismail Qemali nga ky universitet nuk konsiderohet se ka patur kontribute në fushën e arsimit dhe nuk ka qenë një akademik. Provokon thellësisht ndërgjegjen tonë kombëtare.”

Tani pritet që fjalën e fundit ta thotë këshilli i ministrave, nëse njëri prej universiteteve më të mëdha në vend do të vazhdojë të mbajë emrin e njeriut që i dha lavdinë Vlorës dhe gjithë Shqipërisë Ismail Qemalit. Apo thjesht dot quhet universiteti  i Vlorës./tvklan.al

Gazetar: Edian Gjoni