Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas shumë diskutimesh, socialistët pranojnë të balancojnë KQZ. Krerët e dy grupeve parlamentare PS-PD, Gramoz Ruci e Bamir Topi, nënshkruan marrëveshjen për të bërë të mundur rikompozimin e institucionit zgjedhor.

Sipas paketës së re zgjedhore, do t’i ndërpritet mandati njërit prej anëtarëve të KQZ, i zgjedhur nga KLD, që ka kryer funksionin 3 vjet, e bazuar kjo në nenin 154 të Kushtetutës. Ky vend do të zëvendësohet me një nga tre kandidaturat që do të paraqesë PD.

Gramoz Ruçi: “Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Demokratike, mbështesin projektligjin për disa shtesa në ligjin 9087, datë 19.06.2003, të Kodit Zgjedhor të republikës së Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëngjitet kësaj marrëveshje. Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Demokratike ranë dakord, që anëtari i KQZ, mandati i të cilit mbaron me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të përmendur në pikën 1 të kësaj marrëveshje, të zëvendësohet nga KLD, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, me njërën nga tre kandidaturat që do t’i propozojë Partia Demokratike e Shqipërisë KLD.”

Mënyra e ripërtëritjes, e përcaktuar në Kushtetutë, mungon në kodin zgjedhor, por që zgjidhja do të jepet me anën e një dispozite të veçantë. Ende nuk deklarohet emri, por sipas propozimit të PS, lenë të kuptohet që do të ik Maksim Shimani, pasi është zgjedhur nga KLD, më tepër se tre vjet./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari