Lajme Arkiva 2003

Ngjarje tronditëse dhe absurde në fushë Krujë. Tre të vrarë dhe një i plagosur. Një i dehur vret at e bir, vret edhe një punonjës policie dhe largohet në drejtim të paditur. Disa breshëri të gjata automatiku kanë prishur qetësinë e banorëve të Fushe Krujës mbrëmë rreth orës 02:00 pas mesnate.

Luan Murra rreth 28 vjeç pasi ka pirë me babë e bir, Kujtim dhe Lulëzim Çela janë ndarë në mënyrë paqësore. Por rreth orës 02:00 pas mesnate, Murra ka shkuar sërish në shtëpinë e tyre dhe u ka kërkuar ta përcillnin se dikush donte ta vriste. Kujtimi nuk ka pranuar dhe si shpërblim ka marrë një breshëri të gjatë automatiku duke e lënë të  vdekur në vend atë dhe djalin 30 vjeçar.

Gazetari: A e njihni personin?

Gruaja e viktimës: Po e njohim.

Gazetari: Si e ka emrin ai?

Gruaja e viktimës: Luan Murra.

Gazetari: Nga Fushë Kruja është?

Po nga Fushë Kruja. I ka thënë djalit tim, dil se do më vrasin, dil ti të më mbrosh. Ky i tha ik se nuk të kam për vëlla, pse të të mbroj. Ka dal djali i madh, ka dal burri, i kanë thënë ik. Ka ikur dhe ka marrë armën dhe ka ardhur prapë. Hapi djali derën i tha ik, ai i qëlloi djalit, i qëlloi burrit, pastaj dritareve. Donte të na vriste të gjithëve.

Ndërsa ka qenë duke u larguar Luan Murra është përballur me patrullën e policisë dhe pa e zgjatur ka qëlluar në drejti të uniformave duke e lënë të vdekur edhe policin Muharrem Farruku 41 vjeç dhe duke plagosur edhe një kolegun e tij. E gjithë ministria është ngritur në alarm brenda pak minutash.

Në drejtim të Krujës janë nisur forcat speciale të briskut, ato të ndërhyrjes së shpejtë të Laçit, madje edhe helikopterët e Ministrisë së Rendit. Por autori nuk është kapur.

Mjetet e bllokuara dhe postblloqet e shumta në rrugët nacionale janë përpjekur që të zgjerojnë kontrollin e tyre në një rreze më të madhe se qyteti i Fushë Krujës. Ndërsa 28 vjeçari ka mundur të kalojë rrjetën e uniformave blu.

Askush deri më tani nuk është në gjendje të përcaktojë motivin e saktë të kësaj masakre. Ndërsa banorët e Krujës që brenda pak ditësh kanë përjetuar disa ngjarje të rënda kriminale i bëjnë apel qeverisë për të garantuar jetën e qytetarëve të saj./tvklan.al