Ka nisur me një ceremoni mjaft të bukur kampionati evropian i peshëngritjes për të rinj dhe të reja, i cili do të zhvillohet për 5 ditë me radhë në qytetin e Durrësit.

Pjesëmarrës kanë qenë përfaqësues nga të gjithë delegacionet e 37 shteteve, sportistët e të cilëve do të garojnë në kampionat si dhe zv/presidenti i Federatës Greke të Peshëngritjes, Pirro Dhima.

Ish-peshëngritësi me origjinë shqiptare ka pranuar se duhet të përkrahen talentet e këtij sporti në Shqipëri.

Pirro Dhima: “Peshëngritja shqiptare ka bërë hapa përpara. Atë do ta tregojnë edhe medaljet edhe fitoret që kanë bërë vitet e fundit. Ka talente Shqipëria, ka me perspektivë sportista, por duhet të jenë me këmbë në tokë…”.

Pirro Dhima do të ndjekë kampionatin në të gjitha ditët i deleguar nga federata evropiane e peshëngritjes./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe